
Certifikimi, Standardet e Punës dhe Migrimi i Rregullt në Fokusin e Ekonomisë Shqiptare
June 16, 2025
Një Hap përpara për Mbrojtjen e të Dhënave: Mbyllet me Sukses Trajnimi Kombëtar
June 30, 2025Tiranë, 27 Qershor 2025 – Me qëllim forcimin e kapaciteteve kombëtare për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve migrantë, në ambientet e Hotel Plaza në Tiranë u zhvillua me sukses trajnimi “Përmirësimi i Procedurave dhe Ndërtimi i Kapaciteteve për Inspektorët e Punës mbi Punëtorët Migrantë”, një aktivitet kyç në kuadër të projektit “Përmirësimi i Menaxhimit të Migracionit të Sigurt dhe të Rregullt në Ballkanin Perëndimor”, i mbështetur Republika Federale E Gjermanisë.
Ky trajnim ishte i dedikuar ekskluzivisht për inspektorët e punës të Shqipërisë, me synimin për të fuqizuar njohuritë dhe qasjen praktike në mbrojtjen e punëtorëve migrantë në territorin shqiptar, duke nxitur përputhjen me standardet evropiane dhe fuqizimin e rolit të Inspektoratit të Punës si garantues i të drejtave të punëtorëve migrantë.
Përmes kombinimit të analizës ligjore, studimeve të rasteve dhe praktikave më të mira ndërkombëtare, pjesëmarrësit u pajisën me njohuri të përditësuara dhe mjete praktike për të përmirësuar cilësinë e inspektimeve dhe për të garantuar një treg pune më të drejtë e të sigurt për punëtorët migrantë.
“Ky trajnim përbën një hap të rëndësishëm drejt integrimit rajonal dhe ndërtimit të një sistemi më të drejtë pune që respekton të drejtat e të gjithë punëmarrësve,” u shprehën përfaqësuesit e projektit.
Në fokus të diskutimeve ishin temat mbi punësimin e përkohshëm, inspektimet ndërkufitare, rregulloret mbi Agjencitë e Përkohshme të Punësimit dhe sfidat që lidhen me marrëdhëniet trepalëshe të punës. Një pjesë e veçantë iu kushtua edhe rolit të inspektorëve në ambientet familjare, ku theksi u vendos mbi qasjen e balancuar dhe humane për të garantuar dinjitetin dhe të drejtat e punonjësve shtëpiakë.
Gjatë trajnimit, inspektorët patën mundësi të ndajnë përvoja konkrete nga praktika e tyre profesionale dhe të diskutojnë raste komplekse të shfrytëzimit, mungesës së kontratës apo diskriminimit në rastet e migrimit për punë.
Një hap konkret drejt një tregu pune më të sigurt, më të drejtë dhe më gjithëpërfshirës në Shqipëri.






