
NaturEUnite – Nature Unites EU Citizens
May 21, 2026
ASDO Joins Global Education Week 2026: Turning Voices into Action
July 9, 2026Nga 11 deri më 13 qershor 2026, Pedonalja e Sarandës u shndërrua në një hapësirë të gjallë festive, duke mirëpritur edicionin e tretë të Fish Saranda Festival, një nga aktivitetet që synon të promovojë identitetin detar, gastronominë lokale dhe ofertën turistike e kulturore të qytetit.
Qendra Shqiptare për një Zhvillim të Qëndrueshëm (ASDO), me mbështetjen financiare të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe me partneritet Bashkinë e Sarandës, ju bashkua këtij festivali për ta ndihmuar në organizimin e tri mbrëmjeve radhazi me gastronominë e detit, muzikën live, performancat artistike, demonstrimet kulinare dhe një atmosferë të hapur për komunitetin, turistët vendas dhe vizitorët ndërkombëtarë.
Një festival që promovon identitetin e Sarandës
Fish Saranda Festival u konceptua si një platformë për promovimin e Sarandës si një destinacion turistik atraktiv dhe i qëndrueshëm, duke vendosur në qendër traditën e peshkimit, gastronominë e detit, produktet lokale dhe kulturën e qytetit.
Përmes ndërthurjes së gastronomisë me muzikën dhe aktivitetet kulturore, festivali synoi të krijojë një përvojë të plotë për vizitorët dhe të kontribuojë në gjallërimin e jetës publike në fillim të sezonit veror. Projekti gjithashtu mbështet promovimin e bizneseve lokale, sektorit HoReCa, peshkatarëve, prodhuesve lokalë dhe operatorëve turistikë.
Tre mbrëmje me muzikë dhe performanca live
Programi i festivalit nisi çdo mbrëmje në orën 19:00, duke sjellë në Pedonalen e Sarandës një kombinim të panairit të degustimit, tryezës sociale, ekspozitës “Mes detit dhe kujtesës”, si dhe koncerteve muzikore.
Në skenën e festivalit u ngjitën artistë dhe grupe të njohura, ndërsa mbrëmja përmbyllëse e 13 qershorit solli performancën e grupit Lynx, duke tërhequr një publik të gjerë dhe duke i dhënë festivalit një atmosferë energjike dhe gjithëpërfshirëse.
Programi artistik, moderimi, animacioni dhe mbështetja teknike u koordinuan për të garantuar vijueshmërinë dhe cilësinë e aktivitetit gjatë të tri netëve.
Gastronomi, traditë dhe përvoja të përbashkëta
Një nga elementet dalluese të festivalit ishte promovimi i gastronomisë së detit dhe kulturës kulinare lokale. Demonstrimet e gatimit, hapësirat e degustimit dhe aktivitetet gastronomike krijuan mundësi për vizitorët që të njiheshin nga afër me shijet, produktet dhe traditat e Sarandës.
Një moment i veçantë ishte edhe organizimi i një tryeze të gjatë sociale pranë detit, e cila krijoi një përvojë të përbashkët mes pjesëmarrësve dhe reflektoi frymën e mikpritjes, komunitetit dhe lidhjes së Sarandës me detin.
Mijëra vizitorë dhe një dukshmëri e gjerë
Sipas vlerësimit të organizatorëve dhe dokumentacionit të projektit, gjatë tri netëve festivali tërhoqi rreth 15,000–20,000 vizitorë, ndërsa komunikimi në media dhe rrjete sociale arriti mbi 200,000 shikime dhe ndërveprime.
Formati i hapur i aktivitetit mundësoi pjesëmarrjen e lirë të turistëve vendas dhe të huaj, familjeve, të rinjve, komunitetit lokal dhe vizitorëve sezonalë, duke kontribuar njëkohësisht në rritjen e ekspozimit të qytetit dhe në gjallërimin e ekonomisë lokale.
Drejt konsolidimit si një ngjarje e përvitshme
Realizimi i edicionit të tretë konfirmon vazhdimësinë dhe potencialin e Fish Saranda Festival për t’u konsoliduar si një ngjarje e përvitshme në kalendarin turistik dhe kulturor të Sarandës.
Përmes bashkëpunimit ndërmjet ASDO, Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Bashkisë Sarandë, profesionistëve të angazhuar dhe aktorëve lokalë, festivali po ndërton një identitet të dallueshëm që lidh turizmin, kulturën, gastronominë dhe komunitetin.
Fish Saranda Festival 2026 dëshmoi edhe një herë se deti, muzika, shijet lokale dhe hapësirat publike mund të krijojnë së bashku një përvojë të fuqishme, duke promovuar Sarandën jo vetëm si destinacion veror, por edhe si një qytet me identitet kulturor, gastronomik dhe turistik të veçantë.






