
Trajnim Kombëtar për Inspektorët e Punës në Shqipëri mbi Mbrojtjen e të Drejtave të Punëtorëve Migrantë
June 30, 2025
Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi bashkojnë forcat kundër informalitetit – drejt një tregu pune më të drejtë dhe më të sigurtë
July 2, 2025Shqipëria hodhi një hap të rëndësishëm drejt forcimit të kapaciteteve kombëtare për mbrojtjen e të dhënave personale, me përfundimin e suksesshëm të trajnimit dyditor “Training of Trainers” (ToT) që u zhvillua më 26-27 qershor në Hotel Plaza, Tiranë. Aktiviteti mblodhi profesionistë nga institucione publike dhe kompani private për t’i përgatitur si trajnerët e parë kombëtarë në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale.
Trajnimi u organizua në kuadër të projektit “SafeData Albania”, i zbatuar nga Organizata Shqiptare për Zhvillim të Qëndrueshëm (ASDO) në bashkëpunim me Zyrën e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, me mbështetjen e programit SMART Balkans, financuar nga Qeveria e Norvegjisë.
Programi synoi të ndërtojë një rrjet kombëtar trajnerësh të certifikuar që do të aftësojnë Oficerët për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (DPO) në zbatim të kërkesave të reja ligjore, të harmonizuara me Rregulloren e Përgjithshme të BE-së për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR).
Në fjalën e tij përmbyllëse, Komisioneri z. Besnik Dervishi theksoi rëndësinë strategjike të këtij trajnimi në kontekstin e ligjit të ri nr. 124/2024, duke nënvizuar se Oficeri për Mbrojtjen e të Dhënave nuk është më thjesht një rol formal, por një element kyç për zbatimin real të standardeve të mbrojtjes së të dhënave dhe të parimit të përgjegjshmërisë.
“Ky trajnim merr një rëndësi edhe më të veçantë në kontekstin e miratimit të Ligjit nr. 124/2024 “Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, i cili shënon një etapë të re për mbrojtjen e të drejtave themelore të qytetarëve në Shqipëri.
Një nga risitë më domethënëse që sjell ky ligj është konsolidimi i rolit të Nëpunësit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, i cili nuk është më thjesht një figurë formale pranë kontrolluesit dhe përpunuesit, por kthehet në një aktor kyç për zbatimin praktik të kërkesave ligjore prej tyre dhe është tregues i qartë i zbatimit të parimit të përgjegjshërisë. Ky është një rol i ndjeshëm, që kërkon dije të thelluara, përditësim të vazhdueshëm profesional dhe mbi të gjitha një etikë të lartë pune. Në këtë kuptim, investimi në përgatitjen profesionale dhe aftësimin e tyre është një domosdoshmëri”tha Dervishi.
Trajnimi përfshiu tema të avancuara si: roli dhe përgjegjësitë e DPO-ve, menaxhimi i rreziqeve dhe auditimi i përpunimit të të dhënave, përballja me shkeljet e sigurisë, përgatitja e politikave të privatësisë dhe menaxhimi i kërkesave të qytetarëve.
Një nga momentet kulmore të aktivitetit ishte kontributi i Dott.ssa Elisabetta Stringhi, eksperte nga Autoriteti Italian për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, e cila ndau përvoja praktike dhe qasje të avancuara nga zbatimi i GDPR në Itali.
Ky trajnim shënon fillimin e ndërtimit të një infrastrukture profesionale që do të garantojë një zbatim më të sigurt, të qëndrueshëm dhe europian të të drejtave të privatësisë në Shqipëri.






